A është më mirë të sëmureni nga gripi sesa të vaksinoheni kundër gripit?

Jo. Gripi mund të jetë një sëmundje serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje të caktuara kronike, si astma, sëmundjet e zemrës ose diabeti. Çdo infeksion i gripit mund të çojë në komplikime të rënda, shtrimin në spital ose në vdekje, madje edhe te fëmijët dhe të rriturit e shëndetshëm. Prandaj, vaksinimi është një zgjedhje më e sigurt nga rreziku për të fituar sëmundjen.

A është e vërtetë që vaksina kundër gripit mund t’ju bëjë më të ndjeshëm ndaj viruseve të tjera të frymëmarrjes?

Mendohet se vaksinat kundër gripit nuk  i bëjnë njerëzit më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të tjera të frymëmarrjes.

Pse disa njerëz nuk ndihen mirë pas vaksinimit ndaj gripit sezonal?

Disa njerëz raportojnë se kanë efekte të lehta anësore pas marrjes së vaksinës kundër gripit. Efektet anësore më të zakonshme të vaksinave kundër gripit janë dhimbja, skuqja, ndjeshmëria ose ënjtja në vendin ku është dhënë vaksina. Gjithashtu mund të paraqiten ethe të lehta, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore. Nëse ndodhin këto reaksione, ata zakonisht fillojnë menjëherë pas vaksinimit dhe zgjasin 1-2 ditë. Në studimet të randomizuara të verbëra, ku disa njerëz morën vaksina të inaktivizuara të gripit dhe të tjerë morën vaksina me ujë të kripur (tretje fiziologjike), ndryshimi i vetëm në simptoma ishte dhimbje më e madhe e krahut dhe skuqja në vendin e injektimit te njerëzit që morën vaksinën kundër gripit. Nuk u regjistruan dallime në lidhje me dhimbjet e trupit, temperaturën, kollën, rrjedhjen e hundës ose dhimbjen e fytit.

A jep imunitet shtesë vaksinimi me më shumë doza të vaksinës së gripit?

Tek të rriturit, studimet nuk kanë treguar ndonjë dobi nga marrja e më shumë se një doze të vaksinës gjatë sezonit të njëjtë të gripit, madje edhe te të moshuarit me imunitet të kompromentuar. Vetëm fëmijët që vaksinohen për herë të parë vaksinohen me dy doza, ndërsa për të tjerët rekomandohet vetëm një dozë vaksine kundër gripit gjatë një sezoni.

Çfarë është tiomersali?

Tiomersal është një konservues me bazë etilmerkuri i përdorur në shishka që përmbajnë më shumë se një dozë vaksine për të parandaluar kontaminimin e shishkës nga bakteret ose kërpudhat nga mjedisi I jashtëm. Përdorimi i tiomersalit në vaksina dhe produkte të tjera mjekësore është treguar i sigurt për t’u përdorur. Të dhënat nga shumë studime nuk kanë treguar efekte të dëmshme nga përdorimi i dozave të ulëta të tiomersalit në vaksina.